Është një emër i njohur prej kohësh në fushën e studimeve albano-ballkanologjike. Mund të thuhet se ai përfaqëson jo vetëm vetveten, por njëkohësisht albanologjinë hungareze të ditëve tona dhe rasti i tij vërteton rregullën që të gjithë ata studiues, të cilët kureshtja shkencore i ka shtyrë që në moshë të re të mësojnë gjuhën shqipe dhe të njihen me visaret e kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, janë bërë edhe miq me besë të këtij populli me origjinalitet kaq të spikatur në të gjitha fushat e jetës.

Istv?n Schütz ishte 25 vjeç djalë dhe sapo kishte kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi hungareze e latine, kur shkuan në Hungari studentët e parë shqiptarë, në vitin 1948. Ata duhej të mësonin shpejt e mirë hungarishten (një gjuhë joindoevropiane, me strukturë gramatikore tepër të veçantë) dhe kërkuan një profesor me të cilin të merreshin vesh frëngjisht ose italisht. Rasti (që thuhet se është mbreti i botës) e solli që ky profesor të ishte i sapodiplomuari István Schütz. Siç shprehet vetë në skicën e jetëshkrimit, ky takim me shqiptarët prodhoi një kthesë të paparashikuar në jetën e tij: “në vend të gjuhësisë fino-ugrike zura një dashuri për jetë me gjuhën shqipe, me letërsinë e me kulturën shqiptare.”

 Rasti i prof. István Schützit të sjell ndër mend një rrethanë pak a shumë të ngjashme që e çoi Max Lambertzin, albanologun e njohur austriak, ta lidhte jetën e tij shkencore me studimet shqiptare. Edhe ai, djalë i ri, ishte duke kryer një udhëtim studimi në Greqi me shokët e shkollës nga fundi i shekullit XIX. Diku afër Tebës i zuri veshi ca barinj vendës që flisnin një gjuhë, e cila, për çudinë e tij të madhe, nuk ishte greqisht. U afrohet e i pyet dhe mrekullohet me ligjërimin e tyre. Shokët po e prisnin, po ai u bën zë të shkojnë, se kishte gjetur diçka shumë interesante - shqiptarët dhe gjuhën e tyre mu në zemër të botës helene! Edhe gjuhëtari i mirënjohur danez Holger Pedersen qe djalë i ri kur regjistroi përrallat e mrekullueshme shqiptare, që e çuan më pas të merret me probleme themelore të historisë së gjuhës shqipe dhe të ndjekë deri në fund të jetës me simpati zhvillimin e kulturës shqiptare.

Fryti i parë i dashurisë për një gjuhë të panjohur dhe njëkohësisht dëshmia konkrete e zotërimit të kënaqshëm të saj është zakonisht përpilimi i një fjalori. Dhe István Schützi që këtej e filloi. Është rasti të themi se sprova e parë për të përqasur leksikun e shqipes me të hungarishtes qe bërë më 1913 nga dr. Zoltán László, i cili pati botuar një fjalorth shqip-hungarisht prej rreth 2000 fjalësh për nevoja të kufizuara të udhëtarëve e të turistëve. Më 1953 doli nga shtypi në Budapest “Fjalor shqip-hungarisht” si botim i Akademisë së Shkencave të Hungarisë[1]. Kryeredaktor ishte gjuhëtari Lajos Tam?s, redaktor Istv?n Schütz. Me sa jam në dijeni, fjala ‘redaktor’ në këtë rast përkthehet shqip me ‘hartues’ a ‘përpilues’. Ishte koha e zhvillimit të bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Shkencave të Shqipërisë dhe akademive të demokracive popullore. Fjalori shqip-hungarisht, siç shënohet edhe në ballinë, u shqyrtua dhe u plotësua nga dega e gjuhësisë e Institutit të Shkencave nën drejtimin e prof. Aleksandër Xhuvanit. Atëherë kishte përfunduar së hartuari (po ishte ende i pabotuar) fjalori i parë shpjegues i gjuhës shqipe (u botua më 1954). Një nga anëtarët e komisionit hartues të atij fjalori, z. Anton Krajni, njeri me dije të gjera dhe njohës i thellë i gjuhës shqipe, ishte edhe njohës i mirë i hungarishtes. Me sa di unë, atij i takoi kryesisht të merrej me dorëshkrimin e fjalorit. Ky bashkëpunim dëshmon se Akademia e Shkencave e Hungarisë e kishte vlerësuar këtë fjalor si një vepër të rëndësishme, që do të ndihmonte zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejshme ndërmjet dy vendeve dhe Instituti i Shkencave i Shqipërisë e çmonte lart nismën e kolegëve hungarezë për të botuar një fjalor të tillë. Por për këtë fjalor, siç na dëshmon vetë prof. I. Schützi, kanë dhënë një ndihmesë të vyer edhe dy nga studentët e tij më të mirë, prof. Zef Rakacolli dhe prof. Kudret Velça. Në shtypin tonë shkencor pati dy recensione mjaft vlerësuese për këtë fjalor: nga Jup Kastrati te revista “Nëndori”, 1955, nr. 2, dhe nga Pashko Geci e Anton Krajni te “Buletin për shkencat shoqërore”, 1956, nr. 3. Recensuesit e vlerësojnë fjalorin si një hap cilësor përpara në leksikografinë shqip-gjuhë e huaj, duke vënë në dukje si merita të tij: fjalësin mjaft të pasur dhe njëkohësisht të ndërtuar mbi kritere shkencore, ilustrimet e kuptimeve të fjalëve me shprehje e frazeologji dhe saktësinë në gjetjen e fjalëve barasvlerëse hungarisht.

Edhe pas përfundimit të këtij fjalori prof. I. Schützi nuk u nda kurrë nga gjuha shqipe dhe vit pas viti ai ndoqi zhvillimin e pasurimin e vrullshëm të saj dhe njësimin e normës letrare. Një fjalor i ri hungarisht-shqip, i parashikuar me mbi 70.000 fjalë, filloi të hedhë shtat pak nga pak në tryezën e tij të punës. Fjalori tashmë ka përfunduar, më i gjerë e më i pasur se parashikimi fillestar i autorit, dhe po pret mundësinë e një botimi të denjë për vlerat e tij. Autorët e fjalorëve thonë se i ndiejnë ata si fëmijë të tyre, dhe ky do të ishte i shtati për prof. I. Schützin. Para një viti pata kënaqësinë ta shoqëroj prof. I. Schützin në një vizitë në Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, ku ai u prit me nderim dhe u njoh me veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe me botimet e këtij Instituti. Në këtë vizitë prof. I. Schützit iu dhurua “Fjalori i orientalizmave të gjuhës shqipe” i Tahir Dizdarit, i botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) dhe nga Organizata Islame për Arsim, Shkencë, dhe Kulturë (ISESCO). Prof. I. Schützi u entuziazmua shumë nga “ky fjalor i mrekullueshëm” (janë fjalët e tij). Me anë të tij ai sqaroi më mirë kuptimet e shumë orientalizmave , që i kishte ndeshur gjatë përkthimeve nga letërsia shqipe dhe gjatë punës për fjalorin shqip-hungarisht. Një tjetër dijetar hungarez, profesori i mirënjohur turkolog Julius Nemeth, e kishe vlerësuar veprën e Tahir Dizdarit, që kishte filluar të botohej pjesë-pjesë te “Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës Seria e Shkencave shoqërore”, me fjalë shumë lavdëruese, por të merituara[2].

Në mësimin e gjuhës fjalori dhe gramatika shkojnë krahas. Një dorëshkrim i vëllimshëm i Gramatikës shqipe për hungarezë i këqyrur në Institutin e Shkencave, nuk arriti të botohet në kohën e vet, d.m.th., në fillim të viteve ‘60 dhe mjerisht nuk u ruajt. Por autori e kishte ruajtur në mendje këtë gramatikë dhe e përgatiti sërish, me një redaktim të ri, sipas përvojave të tij më të reja të mësimdhënies së shqipes me hungarezë. Libri me titull “Libri i gjuhës shqipe”[3], me format të madh dhe me një kapak të kuq me shqiponjën e zezë në mes, u botua në Budapest në vitin 2002 nga Shtëpia botuese “Balassi”. Në 25 mësime autori ka dhënë njohuritë gramatikore dhe një fond të mjaftueshëm fjalësh (rreth 4 mijë fjalë), që i japin studentit kompetencë të mjaftueshme për të kuptuar tekstet dhe për të folur shqip. Njohurit për gjuhën këtu janë ndërthurur mjeshtërisht me njohuri për kulturën dhe qytetërimin shqiptar.

Prof. I. Schützi nuk i është ndarë kurrë mësimit të gjuhës shqipe për hungarezë dhe për të huaj të tjerë të interesuar (e përmend këtë, se njëherë më ka treguar që studenti më i mirë, ose nga më të mirët, i kurseve të tij paska qenë një japonez!). Për shkak të rrethanave politike, me gjithë përpjekjet e tij të herëpashershme, mësimi i shqipes filloi në formë të organizuar vetëm më 1983 në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit Lóránt Eötvös në Budapest. Veprimtarinë dhe përvojën e tij për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Hungari prof. I. Schützi e ka përmbledhur në artikullin “Mësimi i shqipes në Hungari”, botuar në revistën “Gjuha jonë” e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (/2000, nr. 3-4, f. 106-114). Me këtë rast dua të përmend një rrethanë që do mbajtur parasysh. Mësimit të një gjuhe të vogël si shqipja njerëzit i afrohen nga motive të ndryshme, disa edhe thjesht nga kureshtja ekzotike. Një pjesë, më pas, ndërrojnë mendje e një pjese i bie zelli, kur ndeshen me vështirësitë e strukturës gramatikore të shqipes. Është aftësia, takti, puna me shpirt e profesorit ajo që i mban të tjerët të lidhur me kursin, që i josh të ecin pas tij nëpër labirintet e gramatikës, me bindjen se caku i synuar, d.m.th., arritja e një kompetence të kënaqshme gjuhësore, nuk është larg. Gjuha shqipe ka pasur fat në Hungari me një profesor të tillë frymëzues si I. Schützi. Do të përmend edhe një rrethanë tjetër që i jep vlerën reale veprimtarisë albanologjike të prof. I. Schützit: të gjithë këtë veprimtari, deri në moshën 67 vjeç, kur doli në pension, ai e ka zhvilluar në kohën e lirë, si një dëfrim e si një pasion të vërtetë. Për të fituar jetesën dhe bukën e gjashtë fëmijëve, ai ka punuar vazhdimisht në fushën e shtypit.

Dihet se mësimi i një gjuhe nuk është kurrë qëllim në vetvete, por një mjet, qoftë për studime linguistike, qoftë për të njohur qytetërimin dhe kulturën e popullit që e flet atë gjuhë. Në veprimtarinë shkencore të prof. I. Schützit këto dy drejtime shkojnë krahas. Prof. I. Schützi ashtu siç u lidh përjetë me gjuhën shqipe, u lidh edhe me folklorin e me letërsinë shqiptare. Që në vitet ‘50 studioi në radhë të parë folklorin shqiptar, duke lexuar të gjitha vëllimet e serisë “Visaret e kombit” që gjendeshin në bibliotekat hungareze. Njëkohësisht, nga pena e tij filluan të dalin përkthimet e para të letërsisë shqipe në hungarishte: më 1952 u botua Antologjia e poetëve shqiptarë, më 1957 një vëllim me përralla popullore E bukura e dheut, më 1960 novela Tana e Fatmir Gjatës; më 1968 arriti të botohet një vëllim nga poezia popullore shqiptare me titullin tërheqës Po lulëzon shega, i përgatitur që para ngrirjes së marrëdhënieve ndërshtetërore. Gjenerali i ushtrisë së vdekur u bë i njohur për lexuesin hungarez më 1972 nga përkthimi i prof. I. Schützit (kjo vepër u ribotua edhe më 1975); më 1978 ai përktheu edhe një vepër nga gjinia e humorit: Karriera e zotit Maksut e Qamil Buxhelit. Më 1994 në vëllimin Öskönyv u botuan edhe gjashtë tregime të shkrimtarëve të rinj shqiptarë, përkthyer prej tij, dhe, më 1998, në një numër të posaçëm të revistës së përmuajshme Magyar Naplo, të Lidhjes së Shkrimtarëve Hungarezë, ai botoi një vështrim mbi lindjen dhe zhvillimin e letërsisë shqipe, mbi rrugën e saj të mundimeve gjatë diktaturës dhe mbi rimëkëmbjen e saj pas ndërrimit të regjimit; në këtë numër ai ka përkthyer edhe disa tregime e poezi të shkurtra si edhe një intervistë të akad. Rexhep Qoses për shqipen letrare të njësuar (marrë nga revista Universi shqiptar i librit). Magjia e verbit dhe e imagjinatës së I. Kadaresë e ka bërë për vete prof. I. Schützin dhe ai ka përkthyer e botuar esenë Eskili, ky humbës i madh; njëkohësisht po përgatitet përkthimi e botimi në Hungari edhe i disa veprave të tjera të I. Kadaresë.

Studimi shkencor i gjuhës shqipe i ka çuar gjithmonë dijetarët tek enigma e burimit të saj dhe të popullit që e flet. Ç‘janë këta shqiptarët? Nga erdhën? Nga dolën? Dihet se nga gjuhët e Ballkanit të lashtë pararomak vetëm evolucioni i greqishtes mund të ndiqet mbi dëshminë e dokumenteve të shkruara nga periudha antike në periudhën mesjetare e më tej në periudhën e re të saj. Rumanishtja e dalmatishtja (sot e zhdukur) u përftuan nga evolucioni i latinishtes ballkanike. Gjuhët sllave u shfaqën në gadishull në prag të kohës së mesme dhe turqishtja 6-7 shekuj më vonë. Mbetet enigma e burimit të shqipes e të shqiptarëve, arra gungë e ballkanistikës. Për ndriçimin e këtij problemi ka rëndësi vendimtare mënyra e qasjes. Kush niset nga ide të paraformuara se paraardhësit e shqiptarëve nuk kanë luajtur ndonjëherë një rol me rëndësi në hapësirën ballkanike, se kanë qenë një popullsi fisesh malësore, herë shtegtare, herë të izoluara, e ka paragjykuar edhe vetë zgjidhjen e problemit.

Prof. I. Schützi ka dalë te ky problem në vlerësimin kritik të tezave të shprehura tani së fundi nga profesori gjerman Gottfried Schramm, së pari, për etnogjenezën e rumunëve dhe më tej për fillimet e krishterimit ndër shqiptarët. Më 1989 prof. I. Schützi botoi në revistën Studime filologjike (nr. 3) artikullin Përkimet gjuhësore shqiptaro-rumune dhe vazhdimësia etnike në Kosovë me nëntitullin Mendime rreth monografisë së Gottfried Schrammit “Fatet e hershme të rumunëve” (botuar më 1986-1987). Në Simpoziumin “Krishterimi ndër shqiptarë” (Tiranë, 16-19.11.1999) prof. I. Schützi mbajti kumtesën Konvertimi i shqiptarëve dhe prejardhja e shqipes, ku paraqiti vërejtjet e tij rreth monografisë më të re të G. Schrammit Fillimet e krishterimit ndër shqiptarët - Konvertimi i hershëm i besëve dhe pasojat e mëtejshme të tij (1994) si edhe rreth veprës postume të epigrafistit rumun I. I. Russu Origjina trake e rumunëve dhe e shqiptarëve. Prof. I. Schützi pajtohet plotësisht me përfundimin e dijetarit gjerman në monografinë e parë se nga shqyrtimi i ngjashmërive ndërmjet shqipes e rumanishtes të krijohet bindja që stërgjyshërit e shqiptarëve dhe të rumunëve të sotëm kanë jetuar për një kohë më të gjatë në të njëjtën krahinë dhe se çelësi i enigmës së etnogjenezës rumune është shqipja. Ky përfundim është në pajtim të plotë me përfundimin e gjuhëtarit të njohur italian Carlo Tagliavini se “pa albanologji nuk mund të ketë as romanistikë” dhe me përfundimin e E. Çabejt që shqipja në të kaluarën ka luajtur një rol shumë më të madh se në ditët tona dhe që trualli i sotëm i shqipes është jo "rezultat i një ekspansioni, po i një restriksioni". Prof. I. Schützi nuk pajtohet me dijetarin gjerman pikërisht në atë që ky, për shkak të disa etimologjive të gabuara, nuk e njeh vijimësinë e etnosit shqiptar në trojet e sotme, por i bën shqiptarët të ardhur nga brendësia e Ballkanit, nga hapësira jugperëndimore e Bullgarisë së sotme dhe Maqedonia Juglindore. Sipas tij shqiptarët e paskan burimin nga fisi trak i besëve, të cilët i ktheu në të krishterë peshkopi Niceta në sh. IV, krijoi shkrimin trakas dhe përktheu tekstet e nevojshme liturgjike. Nga sh. IX ky fis, për t’u shpëtuar përndjekjeve të kanëve paganë bullgarë, paska kërkuar strehim te perandori i Bizantit dhe qenka vendosur në prapatokën e Durrësit. Kjo teori nuk ka as mbështetje historike, as arkeologjike, as etnografike e as gjuhësore.

Si pjellë të një skeme të paraformuar e gjykon prof. I. Schützi dhe teorinë e I. I. Russut (që pajtohet me teorinë e gjuhëtarit rumun të shekullit të shkuar, Hashdeu), sipas të cilit shqiptarët dhe rumunët kanë një prejardhje të përbashkët trakase dhe shqiptarët vijnë pikërisht nga fisi carpi, që u hodh në jug të Danubit nga fundi i sh. III - fillimi i sh. IV dhe i shpëtoi romanizimit të plotë. Këtyre dijetarëve, që kapen pas ndonjë të dhëne të vetme dhe tjerrin pastaj një teori të tërë, me shumë vend prof. I. Schützi u kujton parimin e së drejtës unus testis - nullus testis[4], që vlen plotësisht edhe për hulumtimin shkencor.

Nuk është me rëndësi vetëm kritika e argumentuar e prof. I. Schützit për këto hipoteza rreth prejardhjes së shqipes e të shqiptarëve, por edhe mënyra si e vështron ai hulumtimin e mëtejshëm të problemit. Për shkak të dëshmive të pakta të ilirishtes e të trakishtes mjetet gjuhësore në vetvete nuk janë të mjaftueshme. Duhen përdorur edhe mjete të tjera e një nga këto është mitologjia. Mitologjia e ruajtur në besimet e në poezinë popullore, në zakonet e lashta, është një thesar i vërtetë për hulumtimet. Në kurset e tij albanologjike, prof. I. Schützi e përdor gjerësisht këtë gurrë për të treguar lashtësinë e shqipes e njëkohësisht për të ndriçuar hapësirën e shtratit të saj të hershëm në Ballkan. Ai ka përgatitur një studim të gjatë Në gjurmë të miteve e të gojëdhënave të vjetra, ku jepet një vështrim për këto mite, duke u mbështetur në folklorin, në onomastikën e në historinë e gjuhës dhe duke zbuluar përkime të ndryshme me gjuhë të tjera të Ballkanit. Një nga dëshmitë më shprehëse në këtë fushë ai e shikon te zakoni i lashtë i buzmit, natën e Kërshëndellave, zakon i trashëguar nga koha e dendrolatrisë (adhurimi i drurëve). Malësori shqiptar i lutet buzmit bujar me shpresën që ky të japë edhe vitin e ardhshëm prodhime të bollshme. Edhe popuj të tjerë e kanë zakonin e buzmit, por këta e djegin kërcurin e Kërshëndellave për t’u çliruar nga shpirtrat e këqij dhe kështu besimi i tyre nuk ka asgjë të përbashkët me besimet e dendrolatrisë të ruajtura të gjalla vetëm te malësorët shqiptarë. Rumunët dhe hungarezët ruajnë kujtimin e këtij zakoni të lashtë shqiptar (por pa e pasur kurrë këtë zakon!) tek emri i Kërshëndellave, rumanisht Craciun, hungarisht Kar?csony. Me gjithë përpjekjet e gjuhëtarëve rumunë për të sajuar një etimologji romane të kësaj fjale, siç e ka shpjeguar prof. E. Çabej, shihet qartë se kemi të bëjmë me fjalën shqipe kërcuni. Është një nga ato raste për të cilat shkon fjala jonë e urtë Unë të them ja ujku, ti më thua ku janë gjurmët! Gjurmët e ujkut Craciun, si edhe shumë përkime të tjera gjuhësore rumune-shqiptare, të çojnë te përfundimi i G. Schrammit dhe i të tjerëve para tij, se në mesjetën e hershme parasllave të parët e rumunëve dhe të parët e shqiptarëve kanë jetuar në fqinjësi e, ndoshta vende-vende, edhe në njëfarë simbioze, ku dygjuhësia ka qenë dukuri e zakonshme, të paktën ndërmjet burrave. Prof. I. Schützi, si njohës me themel i shqipes e i rumanishtes dhe i historisë së tyre, ka gjetur gjurmë të reja të ndikimit të shqipes në rumanishten (veçanërisht në dialektin e Transilvanisë perëndimore e jugperëndimore) dhe mbi këtë bazë ka parashtruar tezën se në mes të rumanishtes e serbishtes nga fundi i mijëvjeçarit të parë e fillimi i të dytit ka ekzistuar një digë e padepërtueshme, dhe kjo ka qenë shqipja.

Gjithsesi, përpjekjet për rindërtimin e hartës etnike të Ballkanit në mijëvjeçarin e parë, mund të krahasohen vërtet me rindërtimin e një mozaiku, gurëzat e të cilit janë shpërndarë më të katër anët e një pjesë i ka përpirë dheu. Megjithëkëtë, - thotë prof. I. Schützi, - nuk duhet humbur shpresa, nuk duhet humbur durimi, sepse mozaiku do të jetë përnjëmend i mrekullueshëm dhe për këtë sipërmarrje kolosale e vlen barra qiranë! Por për të pasur sukses, duhen lënë mënjanë pikëpamjet joshkencore, subjektive, nacionaliste. “Le t’ua japim fjalën etimologjive objektive, huazimeve të ndryshme, duke mënjanuar çdo premisë të parafabrikuar, sepse vetëm kështu mund të dëgjojmë dëshminë e qartë të huazimeve, dëshmitare besnike të stuhive të panumërta në historinë e popujve ballkanas. Dhe në këtë mënyrë, - vijon prof. I. Schützi, - në vend të përçarjes nacionaliste do të gjejmë rrugën e kuptimit reciprok, rrugën e fqinjësisë së mirë, për të cilën është i huaj vështrimi i botës nga pikëpamja e epërsisë numerike ose ekonomike të sotme të ndonjë etnosi, duke kuptuar se e tashmja është përfundimi i punës së të gjithë popujve ballkanas dhe e ardhmja as që mund të përfytyrohet pa bashkëpunimin e tyre.” Duke vijuar hulumtimet e tij në këtë fushë, prof. I. Schützi botoi në vitin 2002 monografinë e gjerë “Njolla të bardha në Ballkan”[5], që u prit me shumë vlerësime në Hungari. Për fat të keq, hungarishtja është një gjuhë pak e njohur, prandaj, me gjithë përmbledhjet anglisht, frëngjisht e gjermanisht që ka, vepra nuk është bërë e njohur sa duhet në rrethet e studiuesve të ballkanistikës. Do të ishte i mirëpritur një përkthim shqip i kësaj vepre. Autori këtu përpiqet të hedhë dritë në periudhat që kanë mbetur më të errëta në historinë e Ballkanit për mungesë dokumentesh të shkruara. Kjo është periudha nga rënia e Perandorisë Romake (viti 479), deri në shekujt XI-XII. Kësaj periudhe i takon formimi i etnosit arbër dhe etnosit rumun, bashkë me enigmën e shpjegimit të lidhjeve gjuhësore ndërmjet shqipes e rumanishtes. Është e njohur se në këtë çështje dijetarët rumunë kanë bërë çmos që ta minimizojnë ndikimin e shqipes mbi rumanishten në atë periudhë, por trajtimi i paanshëm i fakteve gjuhësore të përbashkëta flet qartë për huazimet e rumanishtes nga shqipja në atë periudhë të hershme.

 Prof. I. Schützi, me veprimtarinë e tij të gjerë albanologjike në Hungari, ka dhënë dhe po jep një ndihmesë shumë të çmuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit hungarez. Dashamirësia e tij e çiltër ndaj popullit shqiptar besoj se vjen edhe nga bindja se këtij populli jo rrallë i është mohuar e drejta dhe i është shtrembëruar e vërteta. Dhe për një dijetar nuk ka detyrë më fisnike sesa të vërë në vend një të drejtë dhe të nxjerrë në dritë një të vërtetë. Në vitet e krizës së Kosovës, prof. I. Schützi shkroi një varg artikujsh, deri edhe në gazetat vendore, mbajti një varg bisedash në radio e TV për të sqaruar publikun hungarez, të çorientuar nga propaganda intensive serbe, për të vërtetën rreth Kosovës dhe kërkesave të popullit shqiptar atje. Prof. I. Schützi ka qenë i ftuar në Seminaret e Universitetit të Prishtinës nga viti 1985 deri në vitin 1989, duke mbajtur nga dy kumtesa për çdo seminar, por botimi i artikullit të përmendur më sipër në Studime filologjike, ku argumenton praninë e etnosit shqiptar në Rrafshin e Dukagjinit para ardhjes së sllavëve, e vuri në listën e personave të padëshiruar për autoritetet e Beogradit.

Me veprimtarinë e tij të gjerë I. Schützi është vijues i traditës së albanologjisë hungareze, ku spikatin emra të tillë të shquar si Ludwig Thalloczy (Taloçi) dhe Franz Nopcsa (Nopça).[6]  

Në vitin 1998, në 50-vjetorin e takimit të tij të parë me shqiptarët dhe me gjuhën shqipe, prof. I. Schützi u dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë për veprimtarinë e tij të gjerë albanologjike. Me atë rast, ai na dha besën e tij shqiptaro-hungareze se do të vijojë të punojë me të gjitha energjitë për shqipen e për Shqipërinë, për zgjerimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Dhe ai ka ditur ta mbajë këtë fjalë burri, duke punuar tani në moshë të thyer me energji djaloshare.

 

STUDIME E ARTIKUJ TË PROF.  ISTV?N SCHÜTZ

BOTUAR NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË

 

    * Recherches albano-roumaines: l’emploi de l’article postposée chez les noms propres. – Studia albanica (Tiranë), 25/1988, 2, 119-127.

 

    * Përkimet gjuhësore shqiptaro-rumune dhe vazhdimësia etnike në Kosovë (Mendime rreth monografisë së Gottfried Schrammit “Fatet e hershme të rumunëve”). - Studime filologjike 43/1989, nr 3, f 85-90.

 

    * Rreth disa dukurive të përbashkëta morfologjike të shqipes e të rumanishtes (Në dritën e veprimtarisë së Eqrem Çabejt). - in: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Përmbledhje e ligjëratave dhe e kumtesave të lexuara në seminaret XV e XVI - 1989 e 1990. Universiteti i Prishtinës Fakulteti Filologjik. Prishtinë, 1995.

 

    * Gjurmët e rrjedhores në rumanishte. - in: Seminari XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare. Përmbledhje e ligjëratave, referimeve, kumtesave dhe e diskutimeve. Tiranë, 16-31 gusht 1995. Akademia e Shkencave - Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë - Universiteti i Prishtinës - Fakulteti i Filologjisë. “Eurorilindja”, Tiranë 1995, f. 223-237.

 

    * Shënime mbi monografinë e Gottfried Schramm-it “Anfänge des albanischen Christentums”. – Po aty, f. 161-166.

 

    * Konvertimi i shqiptarëve dhe prejardhja e shqipes (Disa vërejtje rreth dy monografive të kohëve të fundit). - in: Krishterimi ndër shqiptarë Simpozium Ndërkombëtar Tiranë, 16-19 Nëntor 1999. Christianity among the Albanians. International Symposium. Tirana, November 16-19.1999. Editorë: Dom Nikë Ukgjini, Willy Kamsi, Romeo Gurakuqi. Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë Episcopal Conference of Albania. Shkodër 2000, f. 393-401.

 

    * Mësimi i shqipes në Hungari. – Gjuha jonë (Tiranë), 20/2000, 3-4, 106-114.

 

    * Hulumtime albanologjike në Universitetin e Shkencave të Budapestit. – in: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 20/1 (Punimet e materialeve të Seminarit XX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2001). Universiteti i Prishtinës Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Prishtinë, 2002, f. 135-140.

 

    * Shkenca të ndryshme dëshmojnë lashtësinë e shqipes.  - Po aty, f. 49-52.

 

    * Një ndihmesë hungareze në fushën e hulumtimeve albanologjike. – in: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 20/1 (Punimet e materialeve të Seminarit XX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2001). Universiteti i Prishtinës Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Prishtinë, 2002, 225-229.

 

    * Ndikimi i shqipes mbi rumanishten në dritën e hulumtimeve të reja. - Perla (Tiranë), 9/2004, 3, 71-74.

 

    * Prezantimi i shqiptarëve në Ballkan. –in: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 23/1 (Materialet e punimeve të Seminarit XXIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2004). Prishtinë, 2004, 13-23.

 

    * Fjalori i ri shqip-hungarisht. – in: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 24/1 (Materialet e punimeve të Seminarit XXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Prishtinë, gusht 2004). Prishtinë, gusht 2005. Universiteti i Prishtinës. Fakulteti i Filologjisë. - Universiteti i Tiranës. Fakulteti i Historisë - Filologjisë. Prishtinë, 2005, 297-300.

 

    * Shqipja dhe lidhja gjuhësore ballkanike. – Po aty, f. 63-76.

 

    * Nga janë nisur dhe ku janë kthyer? (Disa mendime dhe vërejtje rreth prejardhjes së Ciklit të Kreshnikëve). - Perla (Tiranë), 11/2006, 59-69.

 Përmbledhje

 Prof. Istv?n Schütz është albanologu më i njohur hungarez në ditët tona, vijues i traditës së studimeve albanologjike në Hungari, ku spikatin emra të tillë si historiani Ludwig Thalloczy (1854-1916) dhe gjeologu e etnografi Franz Nopcsa (1877-1933).  Prej vitit 1948, kur mori kontaktin e parë me gjuhën shqipe dhe me kulturën shqiptare, Prof. Istv?n Schütz ka shtjelluar një veprimtari të gjerë si mësimore e shkencore. Ai  jep prej shumë vjetësh mësimin e gjuhës e të letërsisë shqipe në Universitetin  Lóránt Eötvös në Budapest dhe ka hartuar fjalorin e parë shqip-hungarisht (1953); pas një pune prej gjysmë shekulli ka përfunduar një fjalor të madh shqip – hungarisht, që po e përgatit për botim. Frytin e përvojës së tij të gjatë si mësimdhënës i gjuhës shqipe e ka pasqyruar në tekstin mësimor universitar “Albán nyelvkönyv” (Balassi Kiadó. Budapest, 2002, 177 p.).

Krahas mësimit të shqipes Istv?n Schütz është marrë sistematikisht edhe me çështje të gjuhësisë ballkanike e të lidhjeve gjuhësore shqiptaro-rumune. Me hulumtimet e tij ka sjellë dëshmi të reja të ndikimit të shqipes mbi rumanishten dhe të marrëdhënieve intensive ndërmjet këtyre dy gjuhëve të lashta në Ballkan, para ardhjes së fiseve sllave. Krahasimet gjuhësore i ka përforcuar edhe me vëzhgime nga fusha e folklorit, etnografisë dhe besimeve popullore. Vitet e fundit i ka tërhequr vëmendjen problematika e Ciklit të Këngëve të Kreshnikëve (Songs of Frontier Warriors) në krahasim me një cikël të ngjashëm të folklorit boshnjak. Ai ka sjellë argumente të reja për të provuar që cikli i këngëve shqiptare nuk është i huazuar, por ka lindur në rrethanat e shoqërisë fisnore baritore të shqiptarëve të hershëm.

Prof. Istv?n Schütz është i njohur edhe si një publicist aktiv në mediat hungareze për ndriçimin e problemeve shqiptare, veçanërisht të dhunës serbe në Kosovë, që çoi në ndërhyrjen e forcave të NATO-s. Ai mban lidhje të vijueshme me botën akademike shqiptare në Shqipëri e në Kosovë. Istv?n Schütz ka bërë të njohur për publikun hungarez një varg veprash të shkrimtarëve të sotëm shqiptarë dhe ka shprehur mendime vlerësuese për letërsinë shqipe.

[1] Albán – Magyar sz?tár Fjalor shqip-hungarisht. Kryeredaktor Lajos Tomas, redaktor Istv?n Schütz. Shqyrtuar dhe plotësuar nga Dega e gjuhësisë e Institutit të Shkencave të Shqipërisë nën drejtimin e profesor Aleksandër Xhuvanit. Akadémiai Kiadó. Budapest, 1953, 308 + 71 f.

[2] Në një letër drejtuar autorit, dijetari hungarez shkruante: “Nga vepra juaj do të përfitojnë turkologët e botës. Materiali që keni mbledhur, është jashtëzakonisht i pasur dhe me vlerë, kështu që meriton gjithë besimin. Në asnjërën prej gjuhëve të Ballkanit s’janë mbledhur elementet turke në mënyrë kaq të përkryer.”

[3] Schütz, István: Albán nyelvkönyv. Balassi Kiadó. Budapest, 2002, 177 f.

[4] Një dëshmi (ose një dëshmitar) nuk është dëshmi (dëshmitar), d.m.th. dëshmia e një shkence duhet mbështetur së paku edhe me dëshminë e një shkence tjetër.

[5] Schütz, István: Fehér foltok a Balkánon. Bevezetés az albanológiabá és a balkanisztikába. Balassi Kiadó. Budapest, 2002, 223 f. [me përmbledhje anglisht, frëngjisht e gjermanisht]

[6] L. Thalloczy (1854-1916) ishte një nga studiuesit më të njohur të historisë së vendeve të Ballkanit. Në bashkëpunim me historianët Kostandin Jirecek (Jireçek) dhe M. Šuflai (Shuflai) përgatitën dhe botuan në Vjenë (1913, 1916) veprën madhore në dy vëllime “Acta et Diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia (“Akte dhe diploma që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë mesjetare”). Këto vëllime janë burimi themelor për historinë mesjetare të Shqipërisë dhe përmbajnë dokumente që shkojnë nga viti 344 deri në vitin 1406.


Prof. Dr. Emil LAFE