Lamberc-i i është afruar fushës së studimeve shqiptare duke ardhur nga bota klasike. Kërkimet e tij tregojnë një përzierje të lumtur të gjuhëtarit, të folkloristit e të letrarit. Në këtë mënyrë ato na dalin përpara të shumanshme e të plota, si dëshmia e një njësie mendore të veçantë.


Për sa i përket gjuhësisë shqiptare, gjurmimet e  tij përfshijnë më pak etimologjinë e gramatikën historike se sa më fort sintaksën, leksikologjinë e sidomos dialektologjinë. Mjafton të përmendim këtu monografinë Periudha hipotetike në gjuhën shqipe (Die hipothetische Periode in Albanischen Indogerm. Forschungen 34 1914/15), 44 - 208), një punë pionieri në një truall aq të papunuar. Kërkimet dialektologjike të Lambercit përfshijnë jo vetëm Shqipërinë, po edhe kolonitë shqiptare. Ato janë me vlerë të madhe për këtë degë të dijes, sepse nuk janë fryt i një pune në tryezë, po kanë dalë prej hetimesh të palodhura në terren. Në punimin e tij Kumtim për studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i muajit maj në fund të gushtit 1916, botuar nga Akademia e Shkencave të Vjenës, hiqen tiparet kryesore të  të disa ligjërimeve të Shqipërisë veriore, aty ravizohen për të parën herë edhe vija e ndarjes së gegërishtes në nëndialektet e saj. Një interes të veçantë paraqesin kërkimet e tij rreth historisë edhe gjuhës së kolonive arbëreshe të Italisë mbeturinat e gjalla të toskërishtes së moçme. Këtyre ai u ka kushtuar një varg studimesh.

Në punimet albanistike të këtij dijetari nuk mund të lihen pa u përmendur pastaj një radhë librash hartuar me qëllimin praktik të mësimit të shqipes, disa nga këto në bashkëpunim me të tjerë dijetarë si p. sh. me Gjergj Pekmezin. Duhej të hynte këtu edhe "Libri i leximit të shqipes“, hartuar më 1949 (Albanische Lesebuch. Mit Einführung in die albanusche Sprache, 1948), Fjalori shqip - gjermanisht (Lehrgang des Albanisches. Teil I. Albanisch - deutsches Wörterbuch, 1954) i pasur me lëndë të re e me frazeologji, nuk synon plotësi, po u hartua me qëllimin e caktuar për të kuptuar shkrimet literature të shqipes. Në këtë drejtim punimesh hyn më në fund edhe pjesëmarrja e puna e tij në „Komisinë letrare të Shkodrës“, e cila , sikundër dihet, vuri themelet e ortografisë së shqipes.
 
Në veprimtarinë shkencore të Lambercit një vend kryesor zënë botimet rreth folklorit e, veçanërisht, rreth poezisë popullore në vështrimin më të gjerë të kësaj fjale. Me këtë punë në përgjithësi, ky dijetar pa dyshim zë kryet e vendit në këtë lëmë studimesh. Shkrimet e tij janë pema e pjekur e përpjekjeve shumëvjeçare e me dashuri të madhe. Monografia Poezia popullore e shqiptarëve, një studim hyrjeje, doli së pari te gazeta "Posta e Shqipnis" e pastaj si libër më vete. Është i pari botim përmbledhës që kemi për këtë temë. Në të trajtohen farët e ndryshme të këngëve, si këngë trimash, këngë dashurie, këngë dasme, këngë e vargje fëmijësh, ligje e vajtime, gojëdhëna etj. Folklorit në këngë i kushtohet botimi Përralla shqiptare e të tjera tekste të folklorit shqiptar botuar më 1922. Kjo vepër është themelore për njohjen e përrallës popullore shqiptare. Në këtë vazhdë ai botoi edhe disa vëllime kushtuar përrallës në gjuhën gjermane si Midis Drinit e Vjosës, Përralla prej Shqipërie (Zwischen Drin ind Vojussa. Märchen aus Albanien, 1922), Nga Briri i artë, Përralla greke të mesjetës (Vom goldenen Horn. Griesche Märchen aus dem Mittelater, 1922), Motra me krah dhe të Errëtat e dheut (Die geflügelte Schwester und die Dunklen der Erde, 1922) etj. Në vitin 1954/55 ky dijetar i ka kushtuar një monografi të gjerë të ciklit të Mujit e të Halilit, këngëve të kreshnikëve që këndohen në Veriun tonë (Die Volsepik der Albaner. Der Zyklus von Mujo und Halil I, II, Wiessenschaftliche Zeitschrift der Karl - Marx - Universität, Leipzig 4, Jahrsgang, 1954 - 55. Gessellschaft - und sprachwiessenschaftliche Reiche Heft 3, 4, 5.). Ky studim shquhet me paraqitjen e gjallë të atmosferës ku lëvizin figurat epike. Me anën tjetër, të habit analiza e thellë e gjithanshme që i bëhet mjedisit shqiptar nga kanë dalë këto këngë, mjedis që autori e njeh më së miri. Karakteristika e heronjve, rrëmbimi i grave, ditët e martesës, gostitë, alltarët, të dalët në çetë, bejlegjet, armët, zakonet e lashta shqiptare, premtimet, vrasjet, vëllamia (probatinia), kumbaria, lahuta, kuvendi i pleqve, gjaqet, dashuria motër e vëlla e vëlla e motër, besa e pabesia e grave, pritja e mikut, vajet, kullat, qendrat gjeografike, bjeshkët, tartari, motivet e këngëve, zogu si lajmës, shtazët si ndihmëtare, qeniet e mbinatyrshme të besimit popullor si orë e zana, tradhtia, mrekullitë, simbolika e numrit, bukuria e vashave, motivi i dredhisë, hiperbolat, hyritë marrë nga natyra, forma metrike e këngëve, rima, ndërtimet emfatike, proliksiteti, përsëritjet, gjuha e stili, krahasimet, betë, formula stereotipe, këto janë disa nga elementet kryesore që merren në shqyrtim në këtë vepër. Kështu ajo përbën trajtimin gjer sot më të plotin të këtij kapitulli të poezisë sonë popullore, e bashkë me përrallat shqiptare paraqet gjer më sot kryeveprën e këtij dijetari. Pra, me anë të këtij studimi poezia epike shqiptare hyn e zë  vendin e saj brenda poezisë së popujve të tjerë të Evropës.

Marrë nga libri „Eqrem Çabej“ i Sh. Demirajt