Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956.



Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqrem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalëformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe.

Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura, u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961).

Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.