Lindi në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme më 26.VI.1917. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës.

Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës.Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 Korrikut i RS të Serbisë dhe ai i KAÇKJ. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit.Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës.Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.